Sigal Prishtina ka hedhur një hap të madh drejt gjysmëfinales së Kupës së Kosovës në basketboll, duke regjistruar një fitore të bindshme ndaj Vëllaznimit në Gjakovë.
Në ndeshjen e parë çerekfinale, të zhvilluar në palestrën “Shani Nushi”, kryeqytetasit triumfuan me rezultatin 82:68.
Skuadra mysafire e nisi takimin më mirë, duke fituar çerekun e parë 17:14. Vëllaznimi reagoi në periodën e dytë dhe arriti ta fitojë atë ngushtë me rezultat 20:19, por kjo nuk mjaftoi për të përmbysur rrjedhën e lojës.
Në pjesën e dytë të ndeshjes, Sigal Prishtina tregoi superioritet të plotë, duke kontrolluar ritmin dhe lojën në të dyja anët e fushës. Çereku i tretë u fitua 25:15, ndërsa edhe periudha e fundit përfundoi në favor të prishtinasve 21:19, duke vulosur fitoren me 14 pikë diferencë.
Deondre Burns ishte një nga lojtarët më të dalluar te “bardhekaltërit”, duke regjistruar 16 pikë, shtatë asistime dhe dy kërcime. Kontribut të rëndësishëm dhanë edhe Kahlil Dukes me 17 pikë dhe Adrio Bailey me 16 pikë të tjera.
Te Vëllaznimi, paraqitjen më të mirë e pati Jericole Hellems, i cili realizoi 25 pikë, siguroi 12 kërcime dhe shpërndau tri asistime, por performanca e tij nuk mjaftoi për të shmangur humbjen.
Ndeshja e kthimit do të vendosë përfundimisht ekipin që do të sigurojë dy fitore dhe do të avancojë në gjysmëfinale, ku përballë do të ketë fituesin e çiftit Bashkimi – GO+ Peja./Telegrafi/