Nëse ju duket se pluhuri në shtëpi “fiton” pavarësisht sa shpesh i fshini sipërfaqet, edhe pse përdoren peceta të lagura dhe produkte të shtrenjta pastrimi, arsyeja është më e thjeshtë sesa mendoni
Shumica e pecetave të blera nuk e zgjidhin problemin në thelb. Ato lënë një shtresë të hollë, ngjitëse që tërheq papastërtinë. Në vend që sipërfaqet të mbeten të pastra, që të nesërmen duken sikur nuk janë prekur. Ky film i padukshëm sillet si magnet për grimcat në ajër, prandaj pluhuri grumbullohet edhe më shpejt.
Një problem tjetër është elektriciteti statik. Fshirja e zakonshme largon papastërtinë e dukshme, por jo shkakun – ngarkimin e sipërfaqeve. Kur ajri është i thatë, sidomos gjatë sezonit të ngrohjes, mobiliet bëhen bazë ideale për grumbullimin e pluhurit.
Prandaj, truku që rekomandohet gjithnjë e më shpesh nuk kërkon produkte të shtrenjta, por diçka që tashmë e keni në banjë – zbutës rrobash.
Fshirja me tretësirë uji dhe zbutësi krijon një shtresë të lehtë antistatike që pengon mbajtjen e grimcave. Sipërfaqja mbetet e lëmuar, pa gjurmë dhe rezistente ndaj pluhurit për disa ditë. Kjo bën dallimin mes pastrimit të shpeshtë dhe një rezultati afatgjatë.
Shpjegimi është i thjeshtë: ajri i thatë dhe sipërfaqet e ngarkuara tërheqin grimcat. Zbutësi vepron si neutralizues, duke krijuar një barrierë që i largon ato, transmeton Telegrafi.
Nëse dëshironi ta përgatisni vetë mjetin, ju nevojiten:
• 1 litër ujë
• 1 kapak zbutës i lëngshëm
Përziejini në një shishe me spërkatës dhe mos e teproni me sasinë, për të shmangur njollat.
Mos e spërkatni drejtpërdrejt mbi dru. Vendoseni në një leckë mikrofibër dhe pastaj fshini sipërfaqet. Uji avullon shpejt, ndërsa mbetet shtresa mbrojtëse që largon pluhurin, alergjenët dhe qimet.
Ky truk funksionon edhe për pajisjet elektronike si televizorë dhe monitorë. Një leckë pak e lagur mjafton për pastrim dhe për të penguar rikthimin e shpejtë të pluhurit.
Në fund, zgjidhja nuk është te pastrimi i vazhdueshëm, por te ndryshimi i qasjes. Kur neutralizoni shkakun, pastrimi bëhet më i lehtë dhe më afatgjatë. /Telegrafi