Një incident i pazakontë ka ndodhur në kampin e Bosnjës dhe Hercegovinës, duke krijuar jehonë të madhe në prag të një prej ndeshjeve më të rëndësishme të vitit.
Sipas raportimeve të mediumit “SportSport”, një ushtar italian i misionit EUFOR është kapur duke filmuar stërvitjen e ekipit kombëtar boshnjak në Butmir, edhe pse ajo zhvillohej me dyer të mbyllura.
Gazetari Endin Causevic ka konfirmuar për “MARCA” se ngjarja është e vërtetë, duke theksuar se ushtari u identifikua gjatë regjistrimit me telefon dhe më pas u largua nga sigurimi i federatës.
Situata ndodhi pasi përfundoi periudha e lejuar për mediat, e cila zgjat vetëm 15 minutat e para të stërvitjes. Në një zonë ku gazetarët nuk kishin më qasje, u vërejt një person që vazhdonte të filmonte. Ai ishte i veshur me uniformë ushtarake dhe në shpatullën e majtë kishte një shenjë që tregonte se ishte italian.
Bosnja po përgatitej në Butmir para udhëtimit drejt Zenicës, ku do të përballet me Italinë në një ndeshje shumë të rëndësishme për kualifikim në Kupën e Botës 2026.
Me kaq shumë në lojë – si nga ana sportive ashtu edhe financiare – tensioni është rritur ndjeshëm.
Sigurimi i federatës reagoi menjëherë duke e larguar ushtarin nga zona e stërvitjes. Ndryshe nga shumë kombëtare të mëdha, Bosnja nuk ka një qendër stërvitore të mbyllur plotësisht, çka ka bërë të mundur një incident të tillë.
Ky rast është cilësuar si një formë “spiunazhi” dhe ka shkaktuar reagime të forta. Federata e Futbollit e Bosnjë dhe Hercegovinës ka paraqitur një ankesë zyrtare në EUFOR, misionin e Bashkimit Evropian në vend.
Ngjarja ka shtuar edhe më shumë tensionin para përballjes mes Bosnjës dhe Italisë, duke e bërë atmosferën edhe më të nxehtë. /Telegrafi/