Sipas raportimeve nga mediat kineze, disa anëtarë të stafit në një komitet lagjeje në Wenzhou, në provincën Zhejiang të Kinës lindore, u kapën duke ndihmuar kolegët të anashkalonin sistemet e njohjes së fytyrës dhe kështu të “shkruanin” praninë pa qenë fizikisht në vendin e punës.
Sekretari i komitetit, një burrë me mbiemër Li, dyshohet se organizoi një grup njerëzish që përdornin maska të printuara me fytyrat e kolegëve të tyre për të mashtruar sistemin biometrik. Me këtë metodë një ose dy persona mjaftonin për të regjistruar gjithë grupin si të pranishëm, ndërkohë që ata shkonin për punë personale, raporton Oddity Central.
Nuk dihet se sa persona ishin përfshirë, ose se si arritën të gënjenin softuerin e njohjes së fytyrës me copëza letre që dukeshin si fytyra njerëzish, por skema u zbulua pasi disa nga shkelësit u kapën nga kamerat e sigurisë mbi skanerin e fytyrës.
Komitetet e lagjes në Kinë janë forma më e ulët e qeverisjes administrative. Anëtarët e tyre nuk janë zyrtarë civilë dhe nuk marrin paga, por marrin disa lloj shpërblimesh, dhe me këtë skemë ata po merrnin kompensime në mënyrë të paligjshme.
Një komentues i zemëruar shkroi në Weibo (rrjeti social kinez) “kjo është korrupsion. Duhet t’i pushonin të gjithë dhe t’i ndëshkonin ligjërisht. Ka kaq shumë njerëz që mundohen të gjejnë punë”. Një tjetër shtoi se disa njerëz punojnë më shumë se 10 orë në ditë, ndërsa të tjerët as nuk i plotësojnë tetë orët e punës.
Ndërsa mashtrimi me shpërblime ishte i mjaftueshëm për të shqetësuar njerëzit, ajo çka i intrigoj më shumë ishte si arritën ata të gënjenin një sistem “high‑tech” të njohjes së fytyrës me maska primitive letre në epokën kur teknologjia e inteligjencës artificiale duket se bën “çdo gjë”. /Telegrafi/