Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të mblidhen nesër, e premte, në një seancë të jashtëzakonshme parlamentare në lidhje me rritjen e çmimit të naftës, mungesën e ndërhyrjes së Qeverisë dhe ndikimin e drejtpërdrejtë në koston e jetesës dhe stabilitetit ekonomik të vendit.
Seanca do të mbahet me fillim nga ora 11:00.
Deputetët e LDK-së, PDK-së dhe AAK-së i janë drejtuar gjatë ditës me kërkesë kryetares së Kuvendit të Kosovës për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme lidhur me rritjen e çmimit të naftës në vend.
Në postimin e deputetes Jehona Lushaku-Sadriu nga radhët e LDK-së ka thënë se kërkojnë veprime të menjëhershme dhe transparencë nga Qeveria e Kosovës.
“Lidhja Demokratike e Kosovës me përkrahje edhe të deputetëve të PDK-së dhe AAK-së ka thirrur seancë të jashtëzakonshme për rritjen e çmimit të naftës. Nafta po shtrenjtohet çdo ditë. Çmimet po rriten. Derisa, qytetarët po varfërohen. E Qeveria? Spektatore. Kërkojmë veprime të menjëhershëme. Transparencë. Masa konkrete. Qytetarët nuk janë bankomat i Qeverisë!”- ka shkruar Lushaku-Sadriu.