Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (QKUK) ka sqaruar opinionin publik lidhur me bashkëpagesën prej 3 euro për 24 orë qëndrim të personave shoqërues mbi moshën 15 vjeç.
Sipas QKUK-së, ky vendim buron nga Udhëzimi Administrativ për bashkëpagesat për shërbimet shëndetësore dhe vjen si pjesë e rishikimit të përgjithshëm të politikës së bashkëpagesave. Në udhëzimin paraprak tarifa për personin shoqërues ishte 5 euro për 24 orë, ndërsa me Udhëzimin Administrativ të miratuar në vitin 2024 kjo shumë është ulur në 3 euro.
QKUK sqaron se kjo bashkëpagesë nuk aplikohet për pacientin, por lidhet me shfrytëzimin e hapësirave dhe resurseve spitalore nga persona që nuk janë pacientë. Përjashtim bëjnë Klinika e Onkologjisë dhe klinikat ku trajtohen pacientë me sëmundje malinje, pavarësisht nëse pacientët janë të hospitalizuar edhe në klinika të tjera brenda QKUK-së.
Menaxhmenti i QKUK-së po zhvillon diskutime për trajtimin e bashkëpagesave për pacientët me sëmundje kronike, me qëllim adresimin e nevojave specifike të tyre.
Institucioni gjithashtu thekson se roli i personit shoqërues është mbështetës dhe emocional, ndërsa kujdesi shëndetësor mbetet përgjegjësi e stafit profesional. Çdo pretendim për mangësi në ofrimin e shërbimeve duhet të trajtohet përmes mekanizmave institucionalë dhe nuk duhet të përgjithësohet.
Në përmbledhje, QKUK nënvizon se shumica dërrmuese e shërbimeve shëndetësore mbeten pa pagesë, ndërsa shërbimet që përfshijnë bashkëpagesë ofrohen me kosto shumë më të ulët se më parë./Telegrafi.