Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka reaguar pas kërkesës së Prokurorisë së Specializuar për 180 vjet burgim ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke theksuar se procesi në Hagë ka shkaktuar shqetësim të thellë në shtetin shqiptar.
Në një deklaratë të publikuar në Facebook, Spiropali tha se Gjykata Speciale ka një përgjegjësi të madhe për të garantuar që gjuha dhe qasja e Prokurorisë të mos dëmtojnë padrejtësisht luftën çlirimtare, historinë e pavarësisë së Kosovës dhe dinjitetin e atyre që luftuan për liri.
Ajo kritikoi kohëzgjatjen e paraburgimit – mbi pesë vjet pa një vendim përfundimtar – si dhe natyrën e akuzave, të cilat, sipas saj, ngrenë pikëpyetje mbi proporcionalitetin dhe respektimin e të drejtave themelore të njeriut. Spiropali paralajmëroi se trajtimi i çështjes në mënyrë të ashpër dhe të njëanshme rrezikon të krijojë perceptimin e standardeve të dyfishta, sidomos kur krahasohet me mungesën e përgjegjësisë së plotë për krimet e kryera nga aparati shtetëror serb gjatë luftës.
“Edhe sot, shumë nga krimet e kryera nga forcat serbe mbeten të patrajtuara. Kjo pabarazi rrezikon të dëmtojë besimin në drejtësinë ndërkombëtare”, shkroi ajo.
Spiropali theksoi se drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe e mbështetur në prova të pakontestueshme, duke ruajtur dallimin mes përgjegjësisë individuale penale dhe karakterit historik të luftës për liri, e cila – sipas saj – gëzoi mbështetje të gjerë ndërkombëtare.
Ajo shtoi se vetëm një vendim i drejtë dhe i standardeve të larta mund të largojë “hijen e rëndë” që, sipas saj, kanë hedhur qëndrimet e Prokurorisë mbi kujtesën historike të një lufte të drejtë.
Ministrja kërkoi gjithashtu përmbylljen e procesit brenda një afati të arsyeshëm dhe me respekt të plotë të standardeve ndërkombëtare të gjykimit të drejtë, duke theksuar se besueshmëria e drejtësisë është thelbësore për të ardhmen e Kosovës dhe stabilitetin rajonal.
Republika e Shqipërisë, sipas saj, do të vazhdojë të ndjekë nga afër procesin dhe mbetet e përkushtuar ndaj vlerave të shtetit të së drejtës dhe dinjitetit të luftës çlirimtare të popullit të Kosovës.