Erioni, një luan trevjeçar, dhe Flora, një ari dyvjeçar, të cilët po mbaheshin në mënyrë të paligjshme si kafshë shtëpiake në një pronë private në veri të Shqipërisë, u dërguan në fillim të dhjetorit në strehimore për kafshë në Gjermani, ku do të fillojnë një jetë të re në kushte të përshtatshme për speciet e tyre.
Operacioni i shpëtimit u realizua nga organizata ndërkombëtare për mbrojtjen e kafshëve FOUR PAWS, pas ndërhyrjes së Agjencisë Kombëtare të Pyjeve të Shqipërisë. Sipas organizatës, kafshët ishin në gjendje të dobët shëndetësore: Erionit i kishin rënë disa pjesë të krifës, ndërsa Flora ishte e kequshqyer dhe kishte probleme dentare.
Të dyja kafshët udhëtuan për 70 orë nëpër disa vende evropiane. Erioni u vendos në një rezervat për kafshë të egra në juglindje të Gjermanisë, ndërsa Flora në një strehë për arinj në veri të vendit. Veterinerët i vunë kafshët në anestezi përpara transportit dhe tashmë kanë nisur planet për rikuperimin e tyre.
Magdalena Scherk-Trettin, menaxhere e lartë projektesh në FOUR PAWS, u shpreh: “Jemi të lumtur që autoritetet konfiskuan kafshët dhe tani kanë mundësinë të fillojnë një jetë të re në kushte të përshtatshme. Ky shpëtim ia vlejti plotësisht.”
Tregtia e paligjshme e kafshëve të egra mbetet problematikë në Shqipëri dhe rajon, ku arinjtë dhe kafshë ekzotike mbahen shpesh pa kujdes profesional në kafaze private ose në lokale. Origjina e Erionit dhe Florës mbetet e paqartë, por FOUR PAWS dyshon se luani është viktimë e tregtisë së paligjshme, ndërsa ariu ka shumë gjasa të ketë qenë objekt i gjuetisë ilegale.
Ligji shqiptar lejon mbajtjen e kafshëve të egra vetëm nëse ato kanë lindur në robëri, ose janë të dokumentuara si të siguruara nga qendra të specializuara të mbarështimit dhe tregtisë. Megjithatë, legjislacioni i dobët dhe zbatimi i mangët i tij kanë kontribuar në përhapjen e mbajtjes private të kafshëve të egra. Sipas FOUR PAWS, më shumë se 60 mace të mëdha ende mbahen në kushte të papërshtatshme në vend.
Sajmir Shehu, menaxher projekti në FOUR PAWS, theksoi nevojën për një kornizë ligjore më të rreptë që të parandalojë mbajtjen e paligjshme të kafshëve të egra dhe të sigurojë standardet e kujdesit për to./Associated Press.