Edhe pse u mposht minimalisht në transfertë nga AEK Larnaca me rezultat 1-0, kampioni i Maqedonisë së Veriut, Shkëndija, ka arritur një sukses historik duke siguruar kualifikimin në “play-off”-in e UEFA Ligën e Konferencës, njofton Telegrafi.
Falë rezultateve të favorshme në ndeshjet e tjera, tetovarët “kapën trenin e fundit” dhe u renditën mes skuadrave që do të vazhdojnë garat evropiane, duke siguruar një pranverë europiane të artë.
Takimi nisi me një Shkëndijë më konkrete dhe më të guximshme. Qysh në minutën e 4-të, Ronaldo Webster depërtoi në zonë, dribloi dy kundërshtarë dhe gjuajti diagonalisht, por portieri Alomeroviç reagoi mirë duke e devijuar topin në këndore. AEK Larnaca ishte thuajse i pafuqishëm në fazën ofensive, ndërsa mbrojtja e Shkëndijës funksionoi në mënyrë perfekte. Në 30 minutat e para, vendasit regjistruan vetëm një rast serioz, një goditje me kokë që përfundoi mbi traversë.
Në vazhdimin e pjesës së parë, të shtyrë nga publiku vendas, qipriotët rritën presionin dhe provuan disa herë portën, por pa sukses, pasi çdo gjuajtje u bllokua nga mbrojtësit kuqezi. Para pushimit, pas një aksioni të rrëmujshëm pas një ndërprerjeje, topi përfundoi te koka e serbit Ivanoviç, i cili shënoi, por goli u anulua nga VAR për pozitë jashtë loje.
Pjesa e dytë nisi keq për Shkëndijën, që mbeti me një lojtar më pak pas kartonit të kuq të Liridon Latifit për ndërhyrje të ashpër. Trajneri Jeton Beqiri reagoi menjëherë me ndryshime, duke hedhur në fushë Alhassan dhe Tamba për të ruajtur freskinë dhe shpejtësinë, ndërsa më pas aktivizoi edhe Mazarin. AEK vazhdoi presionin dhe arriti golin në minutën e 83-të, kur pas një këndoreje të Ledes Gustavo, Angielski shënoi me kokë për 1-0.
Deri në fund të ndeshjes, vendasit ushtruan presion të vazhdueshëm para portës së kampionit maqedonas, por rezultati nuk ndryshoi. Humbja minimale nuk e zbehu suksesin e madh të Shkëndijës, e cila mbylli fazën në pozitat që çojnë drejt sfidave të reja europiane, duke konfirmuar se ky ekip ka shkruar tashmë një faqe të rëndësishme historie në arenën ndërkombëtare. /Telegrafi/