KF Shkëndija nuk arriti ta ruajë epërsinë deri në fund dhe u detyrua të kënaqet vetëm me një pikë në përballjen ndaj AP Brera, pasi ndeshja e javës së 22-të në Ligën e Parë të Maqedonisë u mbyll me rezultat 1-1 (1-0). Tetovarët luajtën për pjesën më të madhe të takimit me një futbollist më pak, ndërsa mysafirët barazuan në minutën e 95-të, njofton Telegrafi.
Shkëndija e nisi më mirë ndeshjen dhe në minutat e para kërkoi golin e epërsisë, duke kontrolluar lojën. Megjithatë, situata ndryshoi shpejt në minutën e 16-të, kur pas një kundërsulmi të mysafirëve, Imran Fetai bëri faull pranë zonës së rreptësisë. Pas rishikimit me VAR, arbitri e ndëshkoi direkt me karton të kuq, duke lënë Shkëndijën me dhjetë futbollistë që nga fillimi i ndeshjes.
Pavarësisht inferioritetit numerik, skuadra e drejtuar nga Jeton Beqiri nuk hoqi dorë nga loja sulmuese. Në minutën e 33-të erdhi shpërblimi për përpjekjet e vendasve, kur Endrit Krasniqi realizoi për 1-0, rezultat me të cilin përfundoi pjesa e parë.
Edhe në pjesën e dytë tetovarët nuk u tërhoqën në mbrojtje, por vazhduan të kërkojnë golin e sigurisë. Me kalimin e kohës dukej se Shkëndija do ta menaxhonte epërsinë minimale, por në sekondat e fundit erdhi goditja për vendasit. Pas një kundërsulmi të shpejtë, topi shkoi te Viktor Velkoski, i cili me kokë shënoi në minutën e 95-të për 1-1.
Deri në fund nuk pati më kohë për ndryshim rezultati dhe ndeshja u mbyll baras. Për Brerën ky është një pikë shumë e rëndësishme në luftën për mbijetesë, ndërsa Shkëndija humbi dy pikë të vlefshme në garën për kreun.
Në ndeshjen tjetër të kësaj jave, Vardari fitoi si mysafir ndaj Sileksit në Kratovë me rezultat 0-1, në një takim ku vendasit luajtën për një pjesë të madhe të ndeshjes me një futbollist më pak. Vardari tani ka rikthyer epërsinë në tri pikë ndaj Shkëndijës dhe pjesën e tretë të kampionatit do ta nis e favorizuar. /Telegrafi/