Avokatja e Rexhep Selimit, Furtuna Sheremeti, ka deklaruar se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka arritur të provojë fajësinë e klientit të saj, duke e cilësuar kërkesën për 45 vjet burgim si dënim që i afrohet burgimit të përjetshëm.
“Nuk ka prova që ta mbështesin fajësinë në asnjë prej pikave të aktakuzës për Selimin. Duhet të shpallet i pafajshëm dhe nuk mund të flitet për masë dënimi” ka thënë ajo.
Deklaratat përmbyllëse të mbrojtjes për Selimin i ka përmbyllur avokati kryesor, Geoffrey Roberts, i cili ka vënë në dyshim kredibilitetin e provave të prokurorisë.
“Provat kundër tij janë kontradiktore dhe nuk kanë besueshmëri e janë të pabazuara. Veçmas pretendimet që ai ka marrë pjesë në ndonjë krim të pretenduar”, ka thënë Roberts.
Pas përfundimit të mbrojtjes së Rexhep Selimit, pritet që mbrojtja e Jakup Krasniqit të nisë deklaratat përmbyllëse në këtë proces gjyqësor. /Telegrafi/