Shefi i ri i ushtrisë zvicerane, Benedikt Roos, tha se vendi nuk ka ende mbrojtjen e nevojshme kundër sulmeve të mundshme me dronë, të tilla si ato që përdoren në luftën në Lindjen e Mesme.
“Bota e sotme është bërë më komplekse, më dinamike dhe, në disa aspekte, më e rrezikshme”, u tha Roos gazetarëve në një bazë ushtarake në Thun.
“Politika e pushtetit nuk është një fenomen i ri, por sot ajo po manifestohet përsëri në një mënyrë më të hapur dhe të menjëhershme”, shtoi ai.
I pyetur nëse Zvicra është gati të përballet me kërcënime të reja të mundshme nga sulmet me dronë, Roos tha se “nuk është shumë optimist”.
“Kur bëhet fjalë për kërcënimet që po shohim tani në Iran, nuk kemi pak a shumë asgjë, asgjë fare, zero”, deklaroi Roos.
Ai tha se vendi i tij ka “boshllëqe” në aftësitë e mbrojtjes ajrore që duhen adresuar, me dy prioritetet më të mëdha që janë “sulmet kibernetike në fushën e informacionit” dhe “kërcënimi nga distanca të gjata”.
Javën e kaluar, qeveria e Zvicrës i kërkoi parlamentit të miratojë 3.7 miliardë euro në shpenzimet e mbrojtjes, të përqendruara në zgjerimin e mbrojtjes ajrore tokësore, mbrojtjen kundër dronëve dhe aftësive shtesë të hapësirës kibernetike.
Planet përfshijnë një prokurim prej 1 miliard eurosh të sistemeve raketore IRIS-T SLM të prodhuara në Gjermani dhe një rritje të mbrojtjes kundër mini-dronëve për rreth 76 milionë euro. /Telegrafi/