Përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Tammy Bruce, ka përsëritur qëndrimin e Uashingtonit për mbylljen e misionit të UNMIK-ut, duke thënë se ai nuk pasqyron më realitetin në terren në Kosovë.
Ajo theksoi se UNMIK-u, i krijuar në vitin 1999 në bazë të Rezolutës 1244 për stabilizimin e situatës pas luftës, i përket një konteksti tjetër historik dhe nuk ka më funksionin për të cilin ishte themeluar.
“UNMIK-u është krijuar më 1999 për një realitet tjetër. Sot Kosova është tjetër vend dhe nuk ka arsye të trajtohet si në vitin 1999”, u shpreh Bruce.
Sipas saj, siguria në Kosovë aktualisht garantohet nga KFOR-i, ndërsa UNMIK-u nuk luan më rol as qeverisës, as ushtarak dhe as ndërmjetësues në proceset politike.
Ajo u bëri thirrje vendeve financuese të rishqyrtojnë mbështetjen për misionin, duke ngritur pyetjen për rolin aktual të tij në terren.
Bruce po ashtu theksoi se rruga e vetme përpara është normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, duke bërë thirrje për deeskalim dhe dialog të mirëfilltë.
“Shpresojmë që liderët të ulin tensionet dhe të angazhohen në një dialog të vërtetë, jo në teatër politik”, deklaroi ajo.
Në anën tjetër, përfaqësuesi i Kinës në KS të OKB-së ka theksuar se themelimi dhe zbatimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është parakusht për stabilitet në Kosovë.
Ai tha se UNMIK-u ka luajtur rol të rëndësishëm në stabilitet dhe se duhet të vazhdojë të funksionojë në kuadër të Rezolutës 1244, duke kërkuar një zgjidhje të pranueshme përmes dialogut mes palëve.
“Konsolidimi është rruga e duhur për Kosovën. Asociacioni duhet të implementohet dhe sovraniteti i Serbisë duhet të respektohet plotësisht”, u shpreh përfaqësuesi kinez.
Ndërkohë, përfaqësuesja e Greqisë ka mirëpritur mundësinë e zgjatjes së mandatit të EULEX-it, nëse kjo kërkohet, duke theksuar se e ardhmja e Kosovës dhe Serbisë është në Bashkimin Evropian.
Ajo ka bërë thirrje që të dyja palët të mbeten të angazhuara në procesin e dialogut dhe të ruajnë stabilitetin në rajon.
– YouTube www.youtube.com