Presidenti Donald Trump ka thënë se Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë zhvilluar “biseda produktive” gjatë fundjavës dhe se ai do të shtyjë sulmet ushtarake kundër centraleve iraniane të energjisë për pesë ditë.
Duke shkruar me shkronja të mëdha në Truth Social, Trump tha se mori vendimin për të shtyrë sulmet e kërcënuara bazuar në “tonin dhe përmbajtjen” e diskutimeve, përcjell Telegrafi.
“JAM I KËNAQUR TË RAPORTOJ SE SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS DHE VENDI I IRANIT KANË PASUR, GJATË DY DITËVE TË FUNDIT, BISEDA SHUMË TË MIRA DHE PRODUKTIVE LIDHUR ME NJË ZGJIDHJE TË PLOTË DHE TOTALE TË ARMIQËSIVE TONA NË LINDJEN E MESME”, shkroi Trump.
“BAZUAR NË TONIN E KËTYRE BISEDAVE TË THELLA, TË DETAJUARA DHE KONSTRUKTIVE, QË DO TË VAZHDOJNË GJATË GJITHË JAVËS, UNË I KAM UDHËZUAR DEPARTAMENTIT TË LUFTËS QË TË SHTYJË ÇDO SULM USHTARAK KUNDËR centraleve elektrike dhe infrastrukturës ENERGJITIKE IRANIANE PËR NJË PERIUDHË PESË-DITORE, NË VARËSI TË SUKSESIT TË TAKIMEVE DHE DISKUTIMIT QË VAZHDON”, vazhdoi ai.
Kujtojmë se Trump kishte kërcënuar të godiste centralet elektrike iraniane deri të hënën në mbrëmje nëse vendi nuk do të lejonte rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.
Madje, që nga java e kaluar, Trump kishte thënë se nuk ishte i interesuar të ndiqte një armëpushim me Iranin.
“Mund të kemi dialog, por nuk dua të bëjmë një armëpushim”, tha ai të premten pasdite. /Telegrafi/