Një politikan me origjinë nga Prizreni, Shahin Biba, është zgjedhur kandidat i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) për pozitën e kryetarit të Komunës Metropolitane të Bursës, në Turqi.
Sipas mediave turke, vendimi vjen pas zhvillimeve në komunën e Bursës, ku kryetari Mustafa Bozbey është arrestuar dhe më pas shkarkuar në kuadër të një hetimi për ryshfet dhe korrupsion.
Procesi i zgjedhjes së nënkryetarit dhe drejtimit të ri të komunës është bërë një nga çështjet kryesore në agjendën politike lokale, ndërsa gara për postin e udhëheqjes së qytetit pritet të zhvillohet në Këshillin Bashkiak Metropolitan të Bursës.
Sipas njoftimeve, votimi për pozitën e re është caktuar të mbahet më 9 prill, në orën 11:00, në ambientet e Këshillit Bashkiak.
Shahin Biba do të garojë si kandidat i AK Partisë përballë kandidatit të Partisë Republikane Popullore (CHP), në një proces votimi brenda këshillit komunal.
Në biografinë e tij, Biba thuhet se ka lindur në vitin 1982 në Prizren, Kosovë. Ai ka përfunduar shkollimin fillor dhe të mesëm në vendlindje, ndërsa studimet universitare në degën e arkitekturës i ka kryer në Bursa, Turqi.
Pas përfundimit të studimeve, ai është vendosur në Bursa, ku ka vazhduar jetën dhe karrierën profesionale.
Përveç angazhimit profesional, Biba ka qenë aktiv edhe në politikë, duke mbajtur funksione të ndryshme brenda AK Partisë, përfshirë detyra në nivel lokal në komunën Nilüfer dhe në Këshillin Bashkiak Metropolitan të Bursës.