Sergio Ramos mund të jetë pranë një rikthimi në futbollin evropian, pasi e kaloi vitin 2025 te klubi meksikan Monterrey.
Ramos konsiderohet si një nga mbrojtësit më të mëdhenj të të gjitha kohërave, duke fituar 22 trofe gjatë një periudhe 16-vjeçare te Real Madridi, ku përfshihen edhe katër tituj të Ligës së Kampionëve.
Ish-ylli i Madridit është lojtar i lirë që nga fillimi i dhjetorit, pas përfundimit të kontratës me skuadrën e Monterrey.
Pavarësisht se muajin e ardhshëm mbush 40 vjet, Ramos është i vendosur ta vazhdojë karrierën në nivelin më të lartë.
Madje, ai kishte ofruar të luante edhe falas për t’u rikthyer te klubi i fëmijërisë së tij, Sevilla, por oferta e tij u refuzua.
Vendimi për ta mos e rikthyer Ramosin lidhet me ambiciet e ish-reprezentuesit spanjoll për të investuar në klubin nga La Liga, çka do ta bënte atë rival në strukturat drejtuese të presidentit aktual, Jose Maria Del Nido Carrasco.
Megjithatë, Sevilla nuk është alternativa e vetme për një eksperiencë të fundit të Ramosit në Evropë. Sipas gazetarit spanjoll Roberto Gomez, Ramos është në bisedime me klubin francez Marseille.
Raporti thekson se përvoja, lidershipi dhe shpirti garues i mbrojtësit spanjoll përbëjnë një “përshtatje perfekte” për klubin e Ligue 1, i cili synon të rrisë ambiciet sportive.
Bisedimet po ecin në drejtimin e duhur dhe aktualisht nuk priten pengesa, ndërsa konfirmimi zyrtar mund të vijë së shpejti.
Marseille aktualisht renditet në vendin e tretë në kampionat, me nëntë pikë më pak se lideri dhe kampioni në fuqi, Paris Saint-Germain, skuadër me të cilën përballet këtë fundjavë./Telegrafi/