Nico Schlotterbeck ka zgjatur kontratën me Borussia Dortmund deri në vitin 2031, por vetëm pak orë pas zyrtarizimit, e ardhmja e tij është kthyer në temë të nxehtë diskutimi.
Sipas raportimeve nga Bild, qendërmbrojtësi 26-vjeçar ka përfshirë në kontratë një klauzolë lirimi që varion nga 50 deri në 60 milionë euro, një shumë e konsideruar e përballueshme për klubet elitare të Evropës dhe që mund të hapë rrugën për një transferim që këtë verë.
Fillimisht u raportua se Bayern Munich mund të ishte një nga pretendentët kryesorë për ta aktivizuar këtë klauzolë, por më pas këto pretendime u hodhën poshtë, me burime të Bild që theksojnë se bavarezët nuk do të kenë akses te lojtari gjatë kësaj periudhe kontraktuale.
Kjo situatë lë të kuptohet se e ardhmja e Schlotterbeck mund të jetë jashtë Bundesliga, nëse ai vendos të largohet. Interes për të thuhet se kanë shfaqur disa nga klubet më të mëdha të kontinentit, përfshirë Real Madrid, Barcelona, Liverpool, Manchester City dhe Paris Saint-Germain.
Dortmundi gjendet kështu në një situatë delikate: edhe pse ka siguruar një nga lojtarët kyç për të ardhmen, klauzola e lirimit e vendos klubin në varësi të vendimit të lojtarit dhe fuqisë financiare të gjigantëve evropianë.
Për momentin, kampi i lojtarit ka zgjedhur të heshtë, ndërsa drejtuesit e klubit përpiqen të qetësojnë situatën pas një rinovimi që, në vend të stabilitetit, ka hapur një kapitull të ri spekulimesh në merkato. /Telegrafi/