“Nisma e mbrojtjes në rastin e zjarrit në Koçan nuk mund të jetë bazë për rishqyrtimin e aktakuzës, pasi një gjë e tillë bëhet mbi bazën e provave, e jo sipas vullnetit apo kërkesës së dikujt”.
Këtë e deklaroi në brifingun e tij të parë me gazetarët prokurori publik i shtetit, Nenad Savevski, duke iu përgjigjur insistimeve të vazhdueshme të avokatëve mbrojtës, të cilët kërkojnë ndryshim të aktakuzës dhe për këtë edhe janë njoftuar me shkrim.
Në lidhje me pakënaqësinë e familjarëve të viktimave për largimin e prokurores Ivana Aleksova Trajçeva, së cilës nuk iu vazhdua mandati, Savevski tha se e kupton që ky rast është shumë i ndjeshëm, por theksoi se është shumë e gabuar që një prokuror të lidhet me një rast të caktuar.
Sipas tij, kur të emërohet një prokuror i ri, ai është i detyruar të punojë me përkushtim dhe të njihet mirë me rastin, duke shtuar se nuk duhet të ketë favorizim të prokurorëve të caktuar.
“Ajo që është shumë e rëndësishme për mua, dhe jam i sigurt se është po aq e rëndësishme për të gjithë prokurorët publikë, është që ta forcojmë pozicionin tonë transparent dhe të përgjegjshëm, të cilin e kemi demonstruar ndër vite. Jam në dispozicion të çdo prokurori publik që në mënyrën e duhur ta tregojmë këtë transparencë parimore, e cila është e ndërthurur në legjislacionin tonë prokurorial”, u shpreh Nenad Savevski – Prokuror Publik i Shtetit.