Departamenti i Inteligjencës së Jashtme të Estonisë ka publikuar raportin e tij vjetor, i cili arrin në përfundimin se Rusia nuk ka ndërmend të nisë një sulm ushtarak kundër Estonisë ose ndonjë shteti tjetër anëtar të NATO-s në të ardhmen e afërt.
Megjithatë, agjencia vuri në dukje se Rusia po rrit madhësinë e forcave të saj të armatosura dhe po rimbush rezervat me municione strategjike artilerie.
Përveç kësaj, po formohen mjete ajrore pa pilot (UAV) mbi parimin e një ushtrie masive, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Raporti gjithashtu deklaroi se kontrollimi i Ukrainës është një obsesion për presidentin rus Vladimir Putin, pasi në mendjen e tij kjo do të rivendoste pozicionin e Rusisë si një fuqi e madhe në skenën globale, me të drejtën për të marrë vendime për sigurinë evropiane dhe se bisedimet e paqes janë vetëm një mënyrë për të fituar luftën.
“Rusia mbetet një vend i rrezikshëm pavarësisht paaftësisë së saj, dhe vigjilenca është e nevojshme për të parandaluar zgjerimin e ‘botës ruse'”, ka thënë Kaupo Rosin, Drejtor i Përgjithshëm i Departamentit të Inteligjencës së Jashtme të Estonisë, në një parathënie të raportit, duke shtuar se për momentin, “nuk ka arsye për panik”.
Raporti i publikuar vëren se kompleksi ushtarako-industrial i Rusisë ka rritur prodhimin e municioneve të artilerisë më shumë se 17 herë që nga viti 2021.
Dhe duke pasur parasysh rritjen e prodhimit dhe importet e konsiderueshme, Rusia ka të ngjarë të jetë në gjendje të rimbushë disa nga rezervat e saj strategjike të municioneve të artilerisë, pavarësisht luftës së vazhdueshme me Ukrainën.
Për Kremlinin, mbajtja e rezervave të tilla është pothuajse me siguri një element i rëndësishëm i planifikimit për konflikte të mundshme në të ardhmen.
Sipas Talinit, Moska po zgjerohet duke “shtrydhur” sektorët tradicionalë të ekonomisë.
Talini theksoi se Rusia është përpjekur të krijojë një imazh se është e aftë të luftojë për një kohë të gjatë dhe asgjë nuk po e prek atë, por situata në vend është e keqe.
Raporti paralajmëron gjithashtu se Kremlini duket se është në prag të shtrëngimit të mëtejshëm të kontrollit të tij mbi disidentët brenda vendit, pasi parashikon masa më të ashpra për të kufizuar qasjen e pavarur në informacion në mediat online që do të zbatohen në vitin 2026. /Telegrafi/