Nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Enis Osmani, ka vizituar sot familjet e rrezikuara në lagjen Bair, pas raportimeve për dridhje të tokës dhe rrezik nga rrëshqitja e dheut në rrugën “Ali Pashë Tepelena”.
Sipas njoftimit të Komunës së Mitrovicës, në terren kanë dalë edhe Drejtoresha për Emergjenca dhe Siguri, Fitore Mehmeti Behrami, Drejtori i Inspekcionit, Mujë Igrishta, si dhe Kryesuesi i Komisionit, Rame Hamza, së bashku me ekipet përkatëse, të cilët kanë bërë vlerësimin e situatës.
Nga verifikimet në terren ka rezultuar se tri familje janë të rrezikuara si pasojë e rrëshqitjes së dheut, ndërsa një shtëpi e pabanuar është dëmtuar. Institucionet komunale kanë ofruar strehim të përkohshëm për familjet e prekura, por ato kanë zgjedhur që përkohësisht të sistemohen tek familjarët e tyre.
Në takim është theksuar gatishmëria për bashkëpunim me nivelin qendror, duke u theksuar se problematika e rrëshqitjeve të dheut në këtë lagje është e pranishme që nga viti 2023 dhe kërkon zgjidhje afatgjata institucionale.
Komuna e Mitrovicës ka bërë të ditur se do të vazhdojë monitorimin e situatës dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në koordinim me institucionet relevante, me qëllim garantimin e sigurisë së qytetarëve. /Telegrafi/