Sa agresiv do të jetë Real Madrid në rindërtimin e mesfushës këtë verë mund të varet shumë nga suksesi që arrin në javët e mbetura të sezonit.
Shtatë pikë prapa në garën për titull në La Liga, i turpëruar në Kupën e Mbretit dhe i mposhtur në Superkupën e Spanjës, ekziston një mundësi reale që madrilenët ta mbyllin sezonin 2025–26 pa asnjë trofe – një skenar i papranueshëm për presidentin Florentino Perez.
Megjithatë, Liga e Kampionëve mbetet objektivi i madh dhe eliminimi i Manchester City në fazën e 1/16-ës tregoi edhe një herë se Real Madridi nuk mund të nënvlerësohet kurrë në fazat me eliminim direkt.
Pavarësisht si përfundon aventura evropiane, mesfusha ka nevojë për rifreskim. Klubi duhet të gjejë zëvendësues adekuatë për dy shtyllat që u larguan në verat e fundit: Toni Kroos dhe Luka Modrić.
Në këtë drejtim, dy emra kanë dalë në pah: Enzo Fernandez i Chelsea dhe Rodri i Manchester Cityt.
Kush është zgjedhja ideale?
Politika e transferimeve të Real Madridit historikisht nuk është bazuar gjithmonë te nevojat taktike, por më shumë te prestigji i lojtarëve. Edhe pse epoka e “Galaktikëve” ka kaluar, klubi ende synon emra të mëdhenj dhe pastaj përshtat rolet në skuadër.
Megjithatë, largimet e Kroos dhe Modrić kanë lënë një boshllëk të madh. Real Madridi ka pasur vështirësi në kontrollin e ndeshjeve dhe në qetësimin e lojës në momentet kritike – diçka që këta dy legjenda e bënin në mënyrë perfekte.
Enzo Fernandez
Argjentinasi është dalluar në Ligën Premier si një mesfushor që depërton shpesh në zonë dhe kontribuon në sulm. Ai ka vizion dhe pasime të gjata shumë cilësore, por ka nevojë për mbështetje në aspektin defensiv dhe nuk është fizikisht dominues.
Me pak fjalë, ai është një lojtar kreativ, por jo plotësisht i kompletuar për rolin që i duhet Real Madridit.
Rodri
Nga ana tjetër, Rodri konsiderohet mesfushori më i kompletuar. Ai është fitues i Topit të Artë dhe dominon qendrën e fushës me qetësi, inteligjencë dhe forcë fizike.
Ai nuk është aq spektakolar në pasime sa Fernandez, por është jashtëzakonisht efikas në kontrollin e ritmit dhe shpërndarjen e topit – pikërisht ajo që i mungon Real Madridit aktualisht.
Rodri mund ta transformojë ekipin nga një skuadër që mbështetet në momente individuale në një që dominon ndeshjet kundër më të mirëve në Evropë.
Çmimi dhe realizueshmëria
Rodri është opsioni më i lirë dhe më i arritshëm. Me vetëm një vit të mbetur në kontratë, Manchester City mund ta lejojë largimin nëse lojtari dëshiron kthimin në Madrid.
Në anën tjetër, Fernandez ka kontratë deri në vitin 2032 dhe Chelsea nuk ka ndërmend ta shesë. Çdo ofertë për të do të duhej të kalonte shifrën rekord prej mbi 130 milionë dollarësh.
Jetëgjatësia dhe rreziku
Rodri (29 vjeç) po rikthehet nga një dëmtim i rëndë në gju, çka ngre disa pikëpyetje për të ardhmen afatgjatë. Megjithatë, ai pritet të ketë ende disa vite në nivel të lartë.
Fernandez është katër vite më i ri dhe më pak i rrezikuar nga lëndimet, por nuk ofron të njëjtin ndikim të menjëhershëm në strukturën e lojës.
Nëse Real Madridi kërkon një zgjidhje të menjëhershme dhe të sigurt për të rikthyer kontrollin në mesfushë, Rodri është zgjedhja ideale.
Fernandez mbetet një talent i madh dhe mund të përshtatet mirë në projektin afatgjatë, por duke marrë parasysh çmimin, vështirësinë e transferimit dhe profilin e lojtarit, ai nuk është opsioni më praktik.
Me pak fjalë: Rodri është ajo që i mungon Real Madridit – dhe ndoshta transferimi perfekt për verën./Telegrafi/