Policia e Kosovës ka njoftuar se ka nisur një seri kontrollesh të shtuara për mjete të transportit të mallrave dhe udhëtarëve, si pjesë e planit ROADPOL 2026.
Kontrollet do të zgjasin deri më 15 shkurt 2026 dhe do të realizohen në të gjitha rrugët e vendit.
Qëllimi i këtyre kontrolleve është rritja e sigurisë në trafik dhe parandalimi i aksidenteve, duke u fokusuar tek shoferët e kamionëve dhe autobusëve, të cilët konsiderohen shoferë profesionistë.
Policia thekson se nga ata pritet që të jenë shembull në respektimin e rregullave dhe sjelljes së sigurt në rrugë.
Ky aktivitet përfshin verifikimin e gjendjes teknike të mjeteve, respektimin e kufijve të shpejtësisë, dokumentacionin e vozitjes dhe kushtet e sigurimit për udhëtarët dhe mallrat.
Policia e Kosovës fton të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të tregojnë kujdes dhe të respektojnë ligjin, duke kontribuar kështu në uljen e rreziqeve dhe sigurimin e rrugëve për të gjithë. /Telegrafi/