Këngëtarja Rita Ora është parë së fundmi në një dalje të relaksuar në Los Angeles, teksa po darkonte në restorantin “Sushi Park” së bashku me lojtarin e pokerit Driss.
Artistja 35-vjeçare kishte zgjedhur një stil casual për mbrëmjen, e veshur me një pallto të zezë të fryrë, pantallona të gjera po ashtu të zeza dhe një bandanë blu të errët.
Flokët bionde i kishte mbajtur të fshehura nën aksesor, ndërsa pamjen e plotësoi me grim të lehtë dhe natyral, shkruan DailyMail.
Driss, një sipërmarrës amerikan dhe koleksionist arti që jeton në Gardena të Kalifornisë, u shfaq me një bluzë të kaltër me kapuç dhe pantallona të errëta, ndërsa në një moment u pa duke i treguar diçka këngëtares në telefon.
Ai ka marrë pjesë dy herë në emisionin e pokerit “Hustler Casino Live”, përfshirë një episod ku luajti në tavolinë me producentin Benny Blanco, bashkëshortin e këngëtares Selena Gomez.
Së fundmi, Rita ka folur hapur edhe për jetën familjare, duke treguar se roli i njerkës për vajzat e bashkëshortit të saj, regjisorit Taika Waititi, ka qenë një “zbulim i madh” për të.
Pas martesës së tyre katër vite më parë, ajo u bë njerkë për vajzat e tij, Te Kāinga o te Hinekāhu, 13 vjeçe, dhe Matewa Kiritapu, nëntë vjeçe.
Në një intervistë për The Sun, këngëtarja u shpreh se kjo përvojë e ka bërë të kuptojë se në jetë ka shumë më tepër sesa shqetësimet e momentit.
Ajo tha se rutina e tyre e përditshme përfshin zgjimin, ushtrimet fizike së bashku dhe aktivitete familjare me fëmijët, duke e përshkruar këtë si një përvojë të bukur dhe të thjeshtë.
Artistja ka ndarë edhe më parë detaje të rralla për martesën me Waititin, duke theksuar se baza e marrëdhënies së tyre është miqësia e fortë.
Në një deklaratë për revistën Grazia, ajo tregoi se ata janë “praktikisht shokë të ngushtë” dhe se dëshironin ta ruanin atë ndjenjë përgjithmonë.
Çifti u martua në një ceremoni sekrete në gusht të vitit 2022, pas një lidhjeje që nisi në mars 2021 dhe u bë publike disa muaj më vonë. Interesant është fakti se propozimin për martesë e bëri vetë Rita, duke thyer traditën.
Para se lidhja e tyre të bëhej romantike, Rita dhe Taika kishin qenë miq për pesë vite.
Regjisori ndan dy vajzat me ish-bashkëshorten e tij, producenten Chelsea Winstanley, nga e cila u nda në vitin 2018 pas shtatë vitesh martesë.
Këngëtarja ka pranuar se pas disa marrëdhënieve jo të duhura në të njëzetat e saj, lidhja me Waititin i dha ndjesinë e sigurisë dhe qetësisë që kishte kërkuar prej kohësh. /Telegrafi/