Albi Mall Superliga e Kosovës rikthehet këtë vikend me xhiron e 20-të, ku pritet të ketë disa duele mjaft interesante.
Dueli që hap këtë xhiro dhe i vetmi për ditën e sotme (e shtunë) është ai mes kampionit në fuqi Dritës dhe Drenicës.
Ky duel është paraparë që të nis me fillim nga ora 13:00 dhe do të luhet në stadiumin me bari sintetik në Gjilan.
Drita synon që me një fitore të mbaj hapin me dy rivalët tjerë për titull Prishtinën dhe Ballkanin, ndërsa për mysafirët një fitore eventuale do të ishte tejet e vlefshme në luftën për mbijetesë.
Në ndërkohë ditën e diel në të njëjtin orar do të luhen edhe dy takime tjera, ajo mes Dukagjinit dhe Gjilanit si dhe Prishtina e Re ndaj Ferizajt.
E diela premton edhe një ndeshje derbi dhe tejet të luftuar siç është ajo mes Prishtinës dhe Llapit, sfidë kjo që do të luhet me fillim nga ora 18:00.
Ndeshje do të ketë edhe të hënën ku Ballkani do të jetë nikoqir i Malishevës në Therandë me fillim nga ora 13:00./Telegrafi/