Spitali i Mitrovicës ka bërë të ditur se pas sanimit të defektit në furnizimin me energji elektrike nga Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS), është rikthyer furnizimi i rregullt me rrymë në të gjitha repartet e këtij institucioni shëndetësor.
Sipas njoftimit të spitalit, defekti kishte ndodhur në trafon e qytetit, në të cilën është i lidhur Spitali i Mitrovicës, çka kishte shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në disa reparte.
Megjithatë, gjatë gjithë kohës së ndërprerjes, shërbimet vitale kanë funksionuar normalisht përmes gjeneratorëve, duke garantuar vazhdimësinë e shërbimeve esenciale dhe sigurinë e pacientëve.
Nga ky institucion shëndetësor bëhet e ditur se ekipet e KEDS-it kanë qenë në terren dhe kanë punuar intensivisht për sanimin e defektit, ndërsa pas ndërhyrjes teknike është bërë e mundur rikthimi i furnizimit të rregullt me energji elektrike.
Spitali i Mitrovicës ka falënderuar stafin mjekësor dhe teknik për angazhimin gjatë kësaj situate, si dhe qytetarët për mirëkuptimin, duke theksuar se shërbimet shëndetësore janë duke u ofruar pa asnjë pengesë. /Telegrafi/