KRU “Mitrovica” Sh.A. ka njoftuar se ka filluar trajtimin dhe shpërndarjen e ujit nga impiantet e saj, por me kapacitet të reduktuar. Sipas kompanisë, rritja e kapacitetit do të bëhet gradualisht, varësisht nga krijimi i kushteve teknike.
Nga KRU “Mitrovica” është bërë e ditur se uji i shpërndarë në këtë fazë nuk duhet të përdoret për pije, por vetëm për nevoja higjienike dhe sanitare.
Gjatë ditës në komunën e Zubin Potokut, përkatësisht në Varagë, si pasojë e reshjeve ka rrëshqitur dheu, çka ka ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e ujit, duke lënë qytetarët pa furnizim të rregullt me ujë të pijshëm.
Ndërmarrja “Ibër-Lepenc” ka njoftuar se rrëshqitjet përgjatë kanalit kanë ndikuar në cilësinë e ujit të papërpunuar, duke e bërë atë të papërshtatshëm për trajtim në impiantet e KRU “Mitrovica”.
Ndërkohë, KRU “Mitrovica” ka sqaruar se ndërprerja e furnizimit ka ndodhur për shkak të rritjes së nivelit të turbullirës në ujin e papërpunuar që vjen nga kanali i Ibër-Lepencit.
Gjatë ditës, kjo kompani ka njoftuar se po realizon shpërndarje të ujit përmes autobotëve në disa lokacione të qytetit, përfshirë rrugën “Ali Zeneli”, sheshin “Adem Jashari” dhe rrugën “Mehë Uka”. Po ashtu, është bërë e ditur se nga ora 15:00, në zonën e Tunelit të Parë, autoboti do të jetë i pozicionuar pranë Shkollës së Mesme të Lartë “Elena Gjika”.
Nga KRU “Mitrovica” është theksuar se qytetarët do të informohen me kohë për çdo përmirësim të situatës dhe rikthimin e furnizimit normal me ujë të pijshëm.