Aktori dhe organizatori i festivalit të humorit Shqip Up Comedy Festival, Ridvan Murati, ka njoftuar se ky event do të zgjerohet edhe jashtë Zvicër, duke sjellë për herë të parë edicionin e tij në qytete të tjera evropiane dhe më gjerë.
Përmes një postimi në Facebook, Murati bëri të ditur se pas katër edicioneve të suksesshme në Zürich, festivali do të nisë një kapitull të ri me organizimin e edicionit të parë jashtë Zvicrës.
Sipas tij, ndalesa e parë do të jetë më 25 prill 2026 në Këln të Gjermani, ku do të mbahet për herë të parë ky festival i humorit për publikun shqiptar në diasporë.
Foto: Ridvan Murati/InstaStory
Murati gjithashtu bëri të ditur se pas këtij organizimi, festivali do të vazhdojë rrugëtimin në qytete të tjera të rëndësishme. Ndalesa e radhës do të jetë në Frankfurt më 5 dhjetor 2026, ndërsa në plan janë edhe shfaqje në Vjenë, Londër dhe New York City.
“Tashmë në Zürich kemi pasur katër edicione fantastike. Viti i pestë jubilar ju pret më 31 tetor 2026. Por para Zürichut po startojmë me edicionin e parë jashtë Zvicrës: më 25.04.2026 na pret Köln me edicionin e parë. Pastaj vazhdojmë në Frankfurt më 05.12.2026, e më pas vijnë Wien, London, New York e e e… sepse kemi nevojë me qeshë!”, ka shkruar ai.
Bashkë me njoftimin, Murati ka publikuar edhe një video promocionale që paralajmëron edicionin e ardhshëm të Shqip Up Comedy Festival në Këln, duke ngjallur interes të madh te publiku shqiptar në diasporë. /Telegrafi/