Gjendja e rrugëve në Rugovë vazhdon të mbetet e rënduar si pasojë e reshjeve të vazhdueshme të borës, duke vështirësuar qarkullimin për banorët dhe vizitorët e kësaj zone malore.
Reshjet e dendura duket se i kanë gjetur të papërgatitura autoritetet lokale dhe ato qendrore, pasi shumë segmente rrugore nuk janë pastruar në kohë, ndërsa kalimi i automjeteve është bërë tejet i vështirë dhe në disa raste edhe i rrezikshëm.
Në pamjet e shpërndara nga qytetarët në rrjetet sociale, vërehen rrugë të mbuluara nga bora dhe automjete që mezi arrijnë të lëvizin drejt Rugovës, raporton Telegrafi.
Shoferët përballen me rrëshqitje dhe bllokime, teksa mungesa e ndërhyrjes së mekanizmave pastrues shton shqetësimin për sigurinë në komunikacion.
Qytetarët shprehin pakënaqësi për vonesat në pastrimin e rrugëve, duke kërkuar reagim më të shpejtë nga institucionet përgjegjëse, në mënyrë që të sigurohet qarkullimi normal dhe të shmangen rreziqet e mundshme, sidomos në këtë periudhë me kushte të vështira atmosferike.
Reshjet e borës në këtë zonë pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim. /Telegrafi/