Federata Ndërkombëtare e Historisë dhe Statistikave të Futbollit (IFFHS) ka publikuar të martën listën e mbrojtësve me më shumë gola për vitin 2025.
Në krye të kësaj liste qëndron braziliani Reinaldo, mbrojtës i majtë i klubit brazilian Mirassol, me 14 gola të shënuar.
Pas tij, me nga 11 gola, janë Achraf Hakimi i Paris Saint-Germain dhe Besnik Krasniqi i Dritës. Tetë nga 11 golat e Krasniqit janë realizuar nga penalltia, duke treguar precizitetin dhe rolin vendimtar që ai ka te skuadra.
Krasniqi, 35-vjeçari i cili është shtyllë e ekipit të Dritës dhe kapiten i saj, ka kontribuar jo vetëm në kampionat, ku Drita u shpall kampion, por edhe në garat evropiane.
Ai luajti me Dritën në Ligën e Konferencës, ku ekipi arriti deri në play-off, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në mbrojtje dhe në realizimin e golave vendimtarë.
Në këtë klasifikim janë marrë parasysh vetëm lojtarët nga 100 ligat më të mira të botës, ku Krasniqi ka lënë pas edhe mbrojtës të njohur si Nicolás Otamendi i Benficas dhe Argjentinës.