Ish-presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka dhënë deklarata të forta në librin e tij të ri, “Kështu e shpëtuam Barçën”, duke kritikuar mënyrën se si Real Madridi ka menaxhuar komitetet e gjyqtarëve në La Liga.
Libri, që publikohet më 24 shkurt, trajton pesë vitet e mandatit të tij të dytë si president i Barcelonës dhe sfidat financiare dhe sportive me të cilat përballet klubi.
Një nga kapitujt më të diskutuar është ai mbi “Rastin Negreira”, ku Laporta shpreh se gjatë presidencës së tij është përballur me pretendime për favorizim të gjyqtarëve, megjithëse Barcelonës nuk i është vërtetuar ndonjë shkelje. Ai sfidon publikisht ata që akuzojnë klubin, duke kërkuar specifikimin e ndonjë ndeshjeje, goli, ose veprimi të favorizuar.
“Nuk ka prova që tregojnë se pagesat e bëra nga FC Barcelona për kompanitë e lidhura me ish-nënkryetarin e Komitetit Teknik të Gjyqtarëve ndikuan në përzgjedhjen e gjyqtarëve ose ndryshuan rezultatet e ndeshjeve. I ftoj të gjithë ata që na akuzojnë për korrupsion të gjyqtarëve me kaq lehtësi të specifikojnë ndeshjen, golin, lojën ose aktin e favorizimit të dyshuar,” shkruan Laportanë librin e tij.
Ish-presidenti gjithashtu rikthen një kritikë ndaj Real Madridit, duke thënë se ata i vendosën gjyqtarët për 70 vjet.
“Vlen të kujtojmë se, për shtatë dekada dhe pothuajse pa ndërprerje, presidentët e komiteteve të gjyqtarëve, nën emrat e tyre të ndryshëm, ishin tifozë të Real Madridit, ish-lojtarë ose ish-drejtorë. Me fjalë të tjera, për shtatëdhjetë vjet, anëtarët e Real Madridit emëruan gjyqtarët që supozohej të gjykonin çdo ndeshje të La Ligës dhe Kupës së Mbretit. Ky ishte, pa dyshim, skandali më i madh në historinë e futbollit spanjoll!”, shkruan ai.
Laporta thekson se Barcelona do të bashkëpunojë me organet e drejtësisë për të sqaruar faktet dhe për të mbrojtur imazhin e klubit, duke e konsideruar këtë një fushatë të orkestruar ndaj klubit katalanas.
Libri i tij gjithashtu trajton largimet e lojtarëve si Lionel Messi, Koeman dhe Xavi Hernández, si dhe çështjen e diskutueshme të Superligës, duke ofruar një pasqyrë të plotë mbi periudhën e tij të dytë në krye të Barcelonës. /Telegrafi/