Real Madridi ka shënuar fitore të thellë në shtëpi ndaj Real Sociedadit, në kuadër të xhiros së 24-të në La Liga.
“Galaktikët” fituan me rezultat 4-1, por lehtë mund të shënonin edhe së paku dy gola të tjerë.
Pas vetëm pesë minutave lojë, Trent Alexander-Arnold dhuroi një asistim fantastik për Gonzalo Garcian, i cili zhbllokoi rezultatin (5’).
Sociedadi arriti të kthehet në lojë falë Mikel Oyarzabal, që shënoi nga pika e bardhë (21’).
Megjithatë, shpresa e mysafirëve zgjati vetëm katër minuta, me Vinicius Jr që fitoi penallti e më pas e finalizoi për ta rikthyer epërsinë e vendasve (25’).
Dominimi i Realit vazhdoi me Federico Valverden që shënoi një supergol pas asistimit të Carreas për rezultatin 3-1 (31’).
Reali vazhdoi me të njëjtin ritëm edhe në pjesën e dytë, ku Vinicius Jr fitoi një tjetër penallti – si dhe e finalizoi sërish për ta vulosur fitoren (48’).
Vini në fakt shënoi edhe për ta kompletuar het-trikun, sidoqoftë u anulua për pozitë jashtë loje.
Reali kësisoj bëhet lider në La Liga me 60 pikë ndërsa Sociedadi zë vendin e tetë me 31 sosh./Telegrafi