Ministri për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka folur sot për rastin e keqtrajtimit të 5-vjeçarit në Lipjan nga prindërit e tij.
Ai në konferencën për media pas mbledhjes së qeverisë tha se kjo familje ka qenë nën trajtimin e Qendrës për Punë Sociale që nga viti 2013.
Sipas tij, që nga ajo kohë, disa herë janë marrë fëmijët nga prindërit, por më pas janë rikthyer sërish pas analizave psikiatrike të prindërve.
Ministri Hoti shtoi se është në pritje të raportit përfundimtar për rastin e 5-vjeçarit, që më pastaj të marrë masat e duhura, raporton kp.
Ai nënvizoi se nëse ka shkelje të rënda, do të revokohen licencat për individë që janë ofrues të shërbimeve sociale.
“Të gjitha rastet sociale në Kosovë që përfshijnë trajtimin e dhunës, keqtrajtimin janë kompetencë e komunave, konkretisht Qendrave për Punë Sociale. Roli i Ministrisë është hartimi i politikave sociale dhe mbikëqyrja e tyre. Ministria në këtë aspekt e ka njësinë e inspektimit dhe me urgjencë kanë shkuar me hetu rastin në QPS në Lipjan. Kjo njësi ka mandat të hetojë rastin dhe të rekomandojë ministrin për veprimet… Në momentin që pranojmë raportin përfundimtar nga njësia e inspektimit dhe nëse konstatohen shkeljet nga QPS-ja, atëherë unë ju siguroj se do të merren të gjitha masat ligjore që janë në kompetencë time, përfshirë edhe revokimin e licencave për ata që punojnë në atë QPS”, tha ai.
Duke paraqitur disa segmente të raportit preliminar për rastin e 5-vjeçarit, ai tha se disa herë fëmijët janë marrë nga prindërit.
“Por në bazë të gjeturave në atë QPS janë të paraparë gjashtë zyrtarë, por aktualisht janë vetëm tre. Andaj unë ju bëj thirrje kryetarëve që të rrisin kapacitetet në qendrat për punë sociale… Raporti preliminar, që nuk mundem me shpalosë të gjithin, shpjegon se kjo familje nga viti 2013 ka qenë në trajtim të Qendrës për Punë Sociale në Lipjan. Rrjedhimisht disa herë janë marrë nga prindërit, por janë rikthyer prapë pas trajtimit dhe analizave psikiatrike. Në vitin 2023, gjykata i ka rikthyer fëmijët te familja dhe inspektimi po trajton pse është rikthyer, a janë plotësuar kushtet…”, shtoi Hoti.
Për gjendjen shëndetësore të 5-vjeçarit foli edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
Ai tha se fëmija është në gjendje stabile, por e rënduar në aspektin psiko-social.
“Nga ajo që kam parë unë, fëmija ka qenë në gjendje të vështirë dhe të rënduar, jo vetëm fizike, me plagët dhe pjesët shëndetësore që i ka pasur. Jashtëzakonisht i traumatizuar dhe pothuajse me shumë pak komunikim, pavarësisht moshës pesëvjeçare. Gjendja e tij edhe në ditën e vizitës ka qenë stabile… Dje i është nënshtruar një ndërhyrjeje ku, për shkak të gjendjes së rënduar në njërën shputë, është bërë një intervenim; ka dalë nga salla fillimisht i intubuar dhe pastaj është qetësuar. Sot është gjendja stabile, ka filluar pak edhe komunikimin verbal, gjendja është e mirë… Pjesa psiko-sociale e fëmijës shihet se fatkeqësisht ka qenë në një ambient toksik, mos të themi komplet abuziv”, tha ai.