Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti i Krimeve të Rënda ka bërë të ditur se ka hapur rast për veprën penale “Lajmërimi apo kallëzimi i rremë” ndaj një personi me iniciale V.V., përkitazi me një denoncim të një dhunimi që e njëjta ka paraqitur ndaj dy personave.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se e njëjta ka deklaruar se është dhunuar nga dy burra, të cilët me vendim të prokurorit të shtetit janë ndaluar për 48 orë.
“Me urdhër të prokurorit, personi që e ka denoncuar dhunimin është dërguar për ekzaminim gjinekologjik në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ku pas ekzaminimit tek e dëmtuara nuk janë konstatuar kurrfarë dëmtime në organet gjenitale, e për rrjedhojë nuk janë realizuar asnjëra nga elementet e veprave penale kundër integritetit seksual, e po ashtu asnjë vepre tjetër penale e cila ndiqet sipas detyrës zyrtare”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, në mungesë të këtyre elementeve të pandehurit janë liruar nga qendra e ndalimit ku ishin vendosur paraprakisht, ndërkaq rasti ndaj denoncueses vazhdon në procedurë të rregullt. /Telegrafi/