Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se qytetarët e Kryeqytetit po penalizohen padrejtësisht për shkak të bllokimit të buxhetit nga Qeveria e re e Kosovës. Ai ka theksuar se ky veprim nuk është “vonim teknik” apo “keqkuptim administrativ”, por një “vendim politik për ta dobësuar Prishtinën”.
Rama ka nënvizuar se “Buxheti i Kryeqytetit është votuar sipas ligjit. Është dokument zyrtar i Republikës së Kosovës. Çdo ndërhyrje për ta anashkaluar apo për ta sabotuar atë është shkelje e drejtpërdrejtë e rendit institucional”.
Ai ka theksuar pasojat për qytetarët: “kur ndalet buxheti i Prishtinës, ndalet ndërtimi i shkollave, ndalet përmirësimi i infrastrukturës, ndalet investimi në çerdhe, ndalet zhvillimi ekonomik. Kjo nuk është luftë ndaj Kryetarit. Kjo është ndëshkim kolektiv ndaj qytetarëve”.
Rama ka bërë të qartë se Prishtina nuk është pronë e asnjë partie dhe ka paralajmëruar veprime ligjore nëse vazhdon bllokimi: “Nëse Qeveria vazhdon me këtë qasje, ne do të ndjekim çdo rrugë ligjore dhe institucionale për ta mbrojtur të drejtën tonë. Do ta bëjmë këtë publikisht, hapur dhe pa kompromis”.
“Prishtina nuk do të heshtë. Prishtina nuk do të frikësohet. Dhe Prishtina nuk do të ndalet”, ka theksuar Rama.