Kryetari i Komunë së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se është pezulluar leja për një ekspozitë në sheshin e kryeqytetit, pasi sipas tij ajo përmban pasaktësi lidhur me Masakrën e Burgut të Dubravës.
Rama ka theksuar se nuk do të lejohet që në hapësirat publike të Prishtinës të paraqiten përmbajtje që, sipas tij, “përdhosin dinjitetin e qytetarëve dhe fyejnë kujtesën kolektive”.
Sipas tij, ekspozita paraqet një version të pasaktë të ngjarjeve në Dubravë, duke e cilësuar këtë si të papranueshme dhe si fyerje ndaj viktimave dhe qytetarëve të Kosovës.
Ai bëri të ditur se vendimi për pezullim është marrë menjëherë dhe se ekspozita nuk do të lejohet të vazhdojë në sheshin e Prishtinës.
Njëkohësisht, Rama ka kërkuar përgjegjësi politike dhe institucionale nga Kuvendi i Kosovës për miratimin dhe financimin e kësaj ekspozite, të cilën e ka cilësuar si skandaloze./Telegrafi/