Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e sotme ka shqyrtuar informacionin dhe ka marrë vendim për heqjen e 6 licencave të kompanive për kultivimin e kanabisit.
“Sot kishte 6 pika nga Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria sot ka hequr 6 licenca. Për informacione më të detajuara se cilat janë kompanitë, ju lutem t’i drejtoheni Ministrisë së Shëndetësisë, ku praktikisht funksionon edhe ky Komision. Nga ajo që munda të shoh nga informacioni që kaloi në Qeveri, bëhet fjalë për shkelje ligjore të konstatuara gjatë një kontrolli të kryer nga Komisioni që është kompetent për t’i verifikuar të gjitha kushtet që duhet t’i posedojnë. Dhe po, Qeveria solli vendim që të hiqen edhe 6 licenca”, deklaroi zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva.
Kujtojmë se heqja e licencave u paralajmërua ditë më parë, me arsyetimin se kompanitë e njejta nuk kanë respektuar rregullat bazë për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore.