Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Fatlum A. Jashari, ka përgënjeshtruar deklaratat e subjekteve opozitare Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), të cilat pretenduan se çmimi i naftës në vend ka kaluar mbi 2 euro për litër.
Përmes një reagimi në Facebook, Jashari ka theksuar se çmimi maksimal i lejuar aktualisht për një litër naftë është 1.83 euro, në bazë të kufizimit të marzhës nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit.
“Dy euro e tre centë për litër nafte është çmimi që opozita e do, jo e vërteta në terren. Një litër naftë sot mund të shitet maksimalisht për 1 euro e 83 centë. Është çmim i lartë, padyshim, por është 20 centë më i ulët se sa po pretendohet”, ka deklaruar ai.
Ai ka shtuar se, ndonëse Kosova nuk është imune ndaj krizës globale të çmimeve, përpjekjet për, siç i quajti, “krijim të panikës artificiale” janë të rrezikshme dhe të qëllimshme.
Sipas tij, paraqitja e një situate jo reale si fakt përbën përdorim politik në dëm të qytetarëve dhe dëshmi se debati i zhvilluar në Kuvend nuk ka qenë përpjekje e sinqertë për zgjidhje, por “farsë”./Telegrafi/