Pas një jave vetëm në natyrën e egër të Zelandës së Re, një qen me emrin Molly është shpëtuar falë një mbledhjeje fondesh të udhëhequr nga komuniteti.
Molly mbeti pas më 24 mars kur pronarja e tij, Jessica, ra në një ujëvarë.
Një helikopter shpëtimi e gjeti gruan të gjallë, me mavijosje dhe gërvishtje, por nuk mundi ta gjente qenin.
Matt Newton, pronari i Precision Helicopters New Zealand, i cili e shpëtoi gruan, ishte i vendosur ta gjente Mollyn dhe ta ribashkonte atë me pronaren.
“E kontaktova në spital dhe i thashë se do të shkoja ta kërkoja. Shkova dhe e kërkova qenin disa herë, por pa sukses”, citohet të ketë thënë Newton.
Duke mos qenë të gatshëm të hiqnin dorë, Newton dhe familja e tij nisën një fushatë për mbledhje fondesh për të paguar për më shumë orë fluturimi dhe pajisje kërkimore të avancuara.
Të nxitur nga angazhimi i tij, të huaj në rrjete sociale u bashkuan dhe dhuruan para për gjetjen e qenit.
Paratë dhe pajisjet ishin të mjaftueshme për të financuar tre orë të tjera operacioni kërkimi, të cilat Newton i shfrytëzoi me efikasitet të plotë duke e gjetur Mollyn në të njëjtin vend ku ishte gjetur më parë gruaja.
Helikopteri u ul mjaftueshëm sa një vullnetar shkoi për ta marrë Mollyn. /Telegrafi/