Të enjten është publikuar lista preliminare për kategorizimin e sportistëve dhe trajnerëve të Kosovës, ku sërish dominon xhudoja, si sporti më i suksesshëm në vend.
Siç pritej, xhudoja kryeson me gjithsej 21 sportistë të kategorizuar. Në vendin e parë renditet fituesja e medaljes së argjendtë olimpike në “Paris 2024”, Distria Krasniqi, me 90 pikë.
Medaliste olimpike është edhe Laura Fazliu, e cila nga Parisi u kthye me të bronztën dhe ka grumbulluar 80 pikë. Akil Gjakova është vlerësuar me 60 pikë, ndërsa Nora Gjakova dhe Loriana Kuka kanë nga 40 pikë secila.
Erza Muminoviq dhe Fatjona Kasami kanë nga 30 pikë, ndërsa me 20 pikë janë vlerësuar Flaka Loxha, Dardan Cena, Dion Sharapolli, Debora Gjakova, Shpati Zekaj dhe Muhamedin Veseli. Me 15 pikë figurojnë Anes Veseli, Laurina Gashi dhe Furkan Kelmendi, kurse Rrezarata Alimi, Ujves Mesini dhe Enise Zijade kanë nga 10 pikë. Listën e xhudistëve të kategorizuar e mbyllin Blin Kuka dhe Sidorela Dodaj me nga 6.25 pikë.
Karateja ka dhjetë sportistë të përfshirë në listë, me nënkampionin e botës Islam Selmani në krye, i cili është vlerësuar me 49 pikë. Po ashtu, taekwondo ka dhjetë sportistë të kategorizuar, ndërsa Blerton Ademi është vlerësuar me 25 pikë nga Komisioni për Kategorizim i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Kikboksi përfaqësohet me nëntë sportistë, ku më të vlerësuarit janë Artor Mehmeti dhe Gëzim Morina me nga 17.5 pikë. Nga boksi janë kategorizuar Donjeta Sadiku (60 pikë), Bashkim Bajoku (30 pikë), Shpëtim Bajoku (20 pikë) dhe Riad Isugi (6.25 pikë).
Me nga katër sportistë në listë janë mundja dhe bodibildingu. Aeronautika ka tre përfaqësues, ndërsa me nga dy sportistë janë “muay-thai”, atletika, basketbolli, badmintoni, boullingu, çiklizmi, hendbolli, noti, pingpongu, skijimi, tenisi, kajakimi, futbolli dhe triatloni. Me nga një sportist përfaqësohen motoçiklizmi, gjimnastika dhe autosportet.
Në kategorinë e trajnerëve, xhudoja kryeson sërish me pesë të kategorizuar. I pari në listë dhe bindshëm më i vlerësuari është Driton Kuka me 260.625 pikë. Pas tij renditen Mustafë Veseli me 10 pikë, Majlinda Kelmendi me 8.125 pikë, si dhe Anton Cena e Blerand Begu me nga 5 pikë.
Karateja ka tetë trajnerë të kategorizuar, me Isak Currin në krye me 24.5 pikë. Në boks, listën e prin Marjola Sallauka me 30 pikë, e ndjekur nga Besim Brahimi me 25 pikë dhe Shëmsedin Tahiri me 3.125 pikë. Edhe sportet e tjera kanë përfaqësues në mesin e trajnerëve të kategorizuar.
Kriteret për kategorizim bazohen në sukseset e arritura në gara ndërkombëtare, duke filluar nga Lojërat Olimpike, kampionatet botërore e evropiane, Lojërat dhe Kampionatet Mesdhetare, Kampionatet Ballkanike si dhe Kampionatet e Kosovës. Në nivel vendor, merret parasysh edhe shpallja si më i miri i vitit në kategorinë e seniorëve.
Kategorizimi përcakton nivelin e mbështetjes financiare dhe institucionale nga shteti për sportistët dhe trajnerët – sa më i lartë numri i pikëve, aq më e madhe është përkrahja.













