Paris Saint-Germain nuk veproi shumë në afatin kalimtar gjatë dimrit, pasi fokusi kryesor i klubit është të mbajë bashkë bërthamën e skuadrës.
Drejtori sportiv Luis Campos dhe presidenti Nasser Al-Khelaifi janë përqendruar në rinovimin e kontratave të lojtarëve, por negociatat nuk po shkojnë gjithmonë sipas planit.
Njëri nga lojtarët kryesorë është fituesi aktual i Topit të Artë, 28-vjeçari Ousmane Dembélé. Por negociatat për rinovimin e kontratës po hasin pengesa.
Oferta e PSG dhe kërkesat e lojtarit
PSG i ka ofruar Dembele një pagë prej 30 milionë eurosh në sezon, por lojtari kërkon pothuajse dyfishin. Kontributi i tij për skuadrën ka qenë vendimtar, sidomos në fitimin e Ligës së Kampionëve, dhe Luis Enrique ka punuar shumë për t’i ndihmuar të bëhet lojtari më i mirë dhe të fitojë Topin e Artë. Megjithatë, çështjet financiare duket se kanë krijuar tension.
Dembele ka kontratë deri në vitin 2028. PSG e filloi rinovimin e kontratës herët, për të mos u gjetur në situata të vështira.
Por oferta e klubit u refuzua dhe agjenti i lojtarit kërkoi kushtet gati dyfish më të larta.
Kjo situatë nuk është e panjohur, pasi edhe Barcelona, më parë nuk mundi t’i kënaqte kërkesat financiare të Dembele.
Mesazhi i presidentit Al-Khelaifi
Presidenti i PSG-së, Nasser Al-Khelaifi, theksoi: “Kemi një kufi pagash, siç dihet. Ekipi dhe klubi janë më të rëndësishëm. Ousmane është një legjendë e klubit. E dua Ousmane si person dhe si lojtar”.
Fjala e tij nuk ishte vetëm për Dembele dhe agjentin e tij, por edhe një paralajmërim për të tjerët: pavarësisht madhështisë suaj, skuadra vjen e para.
Kjo filozofi u ilustrua edhe me rastin e Gianluigi Donnarumma gjatë verës, kur PSG nuk pranoi kërkesat e agjentëve për më shumë para dhe përfshirje të bonuseve, duke e transferuar më pas lojtarin te Manchester City.
Ndryshimi i politikës së PSG-së
Që nga viti 2022, kur Luis Campos erdhi në klub, PSG ka ndjekur një kurs të ri.
Përpara kësaj, yjet merrnin paga të larta dhe privilegje, si rasti i Neymarit me 222 milionë euro për klauzolën e largimit. Por eksperiencat treguan se paratë nuk garantojnë sukses ndërkombëtar dhe shpesh ndikojnë negativisht te motivimi i lojtarëve.
Saga e Kylian Mbappé ishte momenti vendimtar. PSG përpiqej ta mbante Mbappen, por negociatat përfunduan në dështim dhe largimin e tij falas.
Campos, duke sjellë Enrique në Paris, ka vendosur një filozofi të qartë: yjet nuk do të favorizohen më automatikisht, por duhet të përputhen me sistemin dhe objektivat e ekipit. Kontratat përfshijnë tashmë klauzola që lidhen me performancën dhe minutat e luajtura — kush nuk pranon, largohet.
“Kam 59 vjet, jam në futboll profesionist që nga mosha 18 vjeç. E them qartë: skuadra është më e rëndësishme se çdo lojtar individ. Dhe klubi është më i rëndësishëm se skuadra. Yjet nuk fitojnë trofe vetëm. Ata mund të fitojnë një ndeshje ose dy, por për të fituar trofe, duhet të ketë harmonizim”, deklaronte Campos.
PSG ka përqendruar vëmendjen tek lojtarët e rinj dhe akademia, duke promovuar të rinj si Warren Zaire-Emery, Senny Mayulu, Quentin Ndjantou dhe Ibrahim MBaye në ekipin e parë.
Edhe pse shpenzimet vazhdojnë, ato janë më të strukturuara dhe përforcojnë pozicione specifike.
Dembele, tani duhet të zgjedhë
Ousmane Dembele tani përballet me një zgjedhje të qartë: ose pranon kushtet e klubit, ose largohet. Nuk do të bëhen përjashtime, madje as për fituesin e Topit të Artë.
PSG ka treguar se mund të jetojë pa çdo lojtar dhe, në disa raste, madje të bëhet më i fortë pa të. /Telegrafi/