Policia e Tiranës ka njoftuar lidhur me protestën e së premtes në Tiranë, ku situata eksaloi dhe u hodhën molotovë e sende të forta.
Në njoftimin e Policisë bëhet e ditur se Policia ka sekuestruar 25 molotovë të pashpërthyer, 27 celularë dhe sende të tjera të kundërligjshme, ndërkaq janë identifikuar 46 të dyshuarit.
Lexoni të plotë postimin e Policisë”
Hodhën lëndë piroteknike, molotovë, dhe sende të forta si dhe kundërshtuan punonjësit e Policisë, gjatë tubimit të zhvilluar dje, identifikohen 46 shtetas. Arrestohen 18 prej tyre, procedohen penalisht 28 të tjerët.
Sekuestrohen 25 molotovë të pashpërthyer, 27 celularë dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Strukturat e Policisë Tiranë në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera në lidhje me veprimet e kundërligjshme të kryera nga një grup protestuesish gjatë tubimit të zhvilluar mbrëmjen e djeshme nga subjekti politik Partia Demokratike, të cilët kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë së Shtetit që kishin marrë masa për ruajtjen e institucioneve shtetërore, për garantimin e rendit dhe sigurisë publike dhe për lëvizjen e lirë të qytetarëve përreth territorit ku po kryhej tubimi, si dhe kanë hedhur drejt punonjësve të policisë dhe institucioneve lëndë djegëse (molotovë) dhe sende të forta drejt tyre, arrestuan në flagrancë shtetasit:
A. K., 19 vjeç, D. G., 32 vjeç, A. I., 42 vjeç, V. I., 22 vjeç, E. Xh., 18 vjeç, K. N., 23 vjeç, R. I., 20 vjeç, E. C., 46 vjeç, R. P., 26 vjeç, M. K., 31 vjeç, A. D., 31 vjeç, K. K., 45 vjeç, F. D., 23 vjeç B. B., 23 vjeç, A. D., 53 vjeç dhe 3 shtetas të mitur
Si dhe proceduan penalisht 27 shtetas të tjerë.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. B, deputet, për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”.
Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund te kenë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit të zhvilluar dje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/