Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, ka nisur hetime pas informacioneve publike të dala gjatë rinumërimit të votave në Qendrën Komunale të Numërimit në Dragash.
Me autorizim të Kryeprokurorit Petrit Kryeziu, organet hetimore kanë intervistuar 51 persona të dyshuar.
Nga ta, nëntë komisionerë janë ndaluar për 48 orë me urdhër të Prokurorit të Shtetit, për shkak të dyshimeve të bazuara se kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit”, sipas nenit 216, paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokuroria njofton se brenda afateve ligjore do të vendosë për masat që do të ndërmerren për të siguruar paraqitjen e të pandehurve në procedurë.
Institucionet përgjegjëse theksojnë përkushtimin e tyre për mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor, garantimin e së drejtës së votës, si dhe luftimin e çdo vepre penale që cenon zgjedhjet e lira dhe demokratike./Telegrafi/