Prokurori Matt Halling gjatë fjalës përfundimtare, duke folur për përgjegjësinë e Hashim Thaçit në luftë, tha se ai ka kontribuar në shumë vepra penale.
Ai shtoi se kontributi i të akuzuarit në UÇK nuk ishte për qëllime politike apo neutrale siç thotë mbrojtja, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Për shkak të pozicioneve që ka pasur në UÇK ai ka kontribuar në një sërë veprash penale të pafundme të cilat ne i kemi diskutuar. Nuk është thjesht kontributi që i ka dhënë UÇK-së për qëllime politike apo neutrale, siç thotë mbrojtja”, tha prokurori.
Prokurori Matt Halling deklaroi se përkrahësi i drejtpërdrejtë i qëllimit të Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale (NPK) ka qenë Thaçi.
“Hashim Thaçi ka qenë një përkrahës i drejtpërdrejtë i qëllimit të NPK-së. Kjo mund ta shihni më mirë në mënyrën se si a flet për LDK-në, një prej grupeve që shënjestronte politika ndaj oponentëve”, tha ai.
Përveç kësaj, ai tha se është absurde të përshkruhet kontributi i Thaçit si neutral kur ka prova që e dëshmojnë të kundërtën.
“Ti përshkruash kontributet e Thaçit si neutrale, është absurde sepse ka prova që dëshmojnë të kundërtën. Nuk është kontribut neutral të thuash këto fjalë nga një pozicion siç kishte Thaçi dhe nuk është kontribut neutral të marrësh në pyetje, të kërcënosh dhe të rrahësh persona në Qirez”, tha ai.