Kryetari i Prishtina, Përparim Rama, ka njoftuar se kryeqyteti ka përcaktuar lokacionin zyrtar për deponimin e mbeturinave inerte (ndërtimore) dhe mbeturinave vëllimore, si mobilje dhe inventar shtëpiak.
Sipas tij, ky lokacion është vënë në dispozicion për qytetarët dhe bizneset që kanë nevojë të largojnë mbeturina të kësaj natyre.
Rama bëri të ditur se deponia ndodhet në rrugën “Qëndresa”, ndërsa për dërgimin e mbeturinave në këtë pikë qytetarët duhet të kontraktojnë ndërmarrjet përkatëse.
“Qytetarët duhet të kontraktojnë ndërmarrjen publike KRM Pastrimi ose ndërmarrjen Gjelbër për transportimin e mbeturinave”, ka njoftuar ai.
Sipas njoftimit, çdo automjet që transporton mbeturina dhe nuk ka kontratë me ndërmarrjen “Gjelbër” mund të gjobitet dhe t’i konfiskohet automjeti.
Kryetari i Prishtinës theksoi se hedhja e mbeturinave të kësaj natyre në hapësira të ndryshme të qytetit është e ndaluar dhe se institucionet komunale do të ndërmarrin masa ndaj shkelësve.
Ai bëri të ditur se Inspeksioni Komunal i Prishtinës dhe Policia e Kryeqytetit janë angazhuar për të parandaluar hedhjen ilegale të mbeturinave në hapësirat publike.
Masat ndëshkuese për shkelësit përfshijnë gjoba dhe konfiskim të automjeteve që përdoren për transportimin dhe hedhjen ilegale të mbeturinave.
Rama u bëri thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë me institucionet dhe të raportojnë rastet e hedhjes së mbeturinave ndërtimore apo vëllimore në hapësira publike.
Në rast të shkeljeve, qytetarët mund të njoftojnë Policinë ose Inspeksionin e Komunës përmes numrave të dedikuar të telefonit.