Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ndarë Medaljen Presidenciale të Meritave për SHKA ‘Sofra Pejane’, me motivacionin “Për Kontributin e Jashtëzakonshëm në Ruajtjen dhe Promovimin e Vlerave të Muzikës Qytetare”.
Kjo medalje u jepet personaliteteve apo ansambleve nga fusha e kulturës, artit dhe muzikës, të cilët kanë treguar përkushtim të veçantë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Qëllimi i saj është vlerësimi i kontributit të veçantë në kulturë dhe forcimi i identitetit shtetëror përmes muzikës.
Në ceremoninë e organizuar nga Presidenca e Republikës së Kosovës, në emër të SHKA “Sofra Pejane”, medaljen e pranuan këngëtari i njohur kosovar Ramadan Krasniqi-Dani, si dhe përfaqësuesit Fitim Behluli dhe kryetari i shoqërisë Sadik Sadiku.
Nga ana tjetër, u bë e ditur se një medalje e kategorisë së njëjtë nga presidentja është premtuar edhe për përfaqësuesen e Kosovës në futboll, në rast të një fitoreje në përballjen ndaj Turqisë, si një formë motivimi për sukses sportiv.
Foto: Sofra Pejane/Facebook
Pas pranimit të vlerësimit, SHKA “Sofra Pejane” reagoi me një mesazh falënderues, duke e dedikuar këtë çmim për qytetin dhe brezat që kanë ruajtur traditën ndër vite.
Foto: Sofra Pejane/Facebook
“Këtë medalje ia dedikojmë qytetit tonë, fansave të këngëve tona dhe të gjitha brezave që kaluan dhe ruajtën brez pas brezi vlerat e mirëfillta të këngës, esnafit, artit, kulturës, bujarisë, mikpritjes dhe traditës tonë në Sofër”, thuhet në reagimin e tyre. /Telegrafi/
Foto: Sofra Pejane/Facebook