Sopranoja me famë botërore, Ermonela Jaho, është nderuar së fundmi me Medaljen Presidenciale të Meritave nga Vjosa Osmani, për kontributin e jashtëzakonshëm në fushën e kulturës dhe promovimin e vlerave kombëtare.
Jaho ndau me ndjekësit e saj në Facebook disa fotografi nga ceremonia, duke shprehur emocionet e saj dhe mesazhin e fuqishëm që shoqëron këtë nderim. Në mbishkrimin e postimit, ajo shkroi: “E nderuar Presidente e Republikës së Kosovës, Sh. S. Znj. Vjosa Osmani, të nderuar njerëz të zemrës”.
“Sot e pranoj këtë nderim me përulësi të thellë, por edhe me një ndjenjë të fuqishme përgjegjësie. Sepse ky nuk është vetëm një titull, është një amanet, një thirrje për të mos harruar kush jemi dhe nga vijmë. Kosova për mua nuk ka qenë kurrë thjesht një vend në hartë. Ka qenë një ndjenjë… një zë i brendshëm që më ka shoqëruar që në fëmijëri. Historia e saj — dhimbja, sakrifica dhe qëndresa — na kanë mësuar se forca jonë më e madhe nuk qëndron vetëm në të kaluarën, por në dashurinë që kemi për njëri-tjetrin sot”, ka shkruar Jaho.
Sopranoja theksoi rëndësinë e bashkimit dhe kujtesës për rrënjët, duke shtuar se ky nderim nuk është vetëm për të, por edhe për çdo shqiptar që nuk ka ndalur së besuari dhe për çdo zemër që rreh për vendin e vet, kudo që ndodhet.
Në fund të postimit, Jaho shprehu edhe mbështetjen për Kombëtaren e Kosovës në futboll, duke uruar kualifikimin për në Botërorin 2026: “P.s. Forca Kosova – drejt kualifikimit në Botëror!”.
Ky nderim vjen si një vlerësim i merituar për karrierën ndërkombëtare të Ermonela Jahos dhe për përkushtimin e saj në ruajtjen dhe promovimin e identitetit kulturor shqiptar. /Telegrafi/