Përballë kushteve të rënda atmosferike dhe vërshimeve të shkaktuara nga reshjet intensive të shiut në rajonin e Mitrovicës, Policia e Kosovës ka ndërhyrë për të evakuuar në mënyrë të sigurt një familje katër anëtarëshe të bllokuar në shtëpinë e tyre në rrugën “2 Korriku”.
Në koordinim të plotë me Drejtorinë e Emergjencave në Mitrovicë – Jugu dhe ekipet e tjera për shpëtim, Njësia e Kontrollit të Kufirit Ujor (NJKKU) realizoi operacionin me vendosmëri dhe profesionalizëm, duke siguruar që familja të largohej pa rrezik.
Policia e Kosovës thekson se ky veprim dëshmon përkushtimin e saj jo vetëm për ruajtjen e rendit publik dhe sigurinë e qytetarëve, por edhe për mbrojtjen e jetës dhe mirëqenies së tyre në situata emergjente, kur vendi përballet me rreziqe natyrore.
Autoritetet policore janë ende në terren dhe janë të gatshme të reagojnë për çdo qytetar në nevojë, duke ofruar mbështetje edhe për institucionet e tjera përgjegjëse për menaxhimin e situatave emergjente.