Kur një guidë me certifikim ndërkombëtar IFMGA nga Mbretëria e Bashkuar vendos të provojë për herë të parë skitouring në Bjeshkët e Nemuna, pritshmëritë janë të larta. Por ajo që përjetoi Martin Chester gjatë një turi dimëror në Peaks of the Balkans e tejkaloi çdo krahasim.
Në podcast-in e Balkan Natural Adventure, Chester, i cili ka udhëhequr grupe në Alpe dhe në zona klasike të Italisë dhe Francës, ai e përshkroi përvojën në Kosovë, Mal të Zi dhe Shqipëri si një nga aventurat më të plota që ka përjetuar.
Sipas tij, terreni i Bjeshkëve të Nemuna i ngjan Alpeve jugore, si zonat e Piemonte-s apo Queyras-it: pyje të bukura, terren i larmishëm dhe shpate që mund të jenë të pjerrëta për ata që duan sfidë, por gjithmonë me një rrugë të sigurt kalimi nga një pikë në tjetrën.
Ai theksoi se mikpritja ishte e jashtëzakonshme dhe se nuk shkon vetëm për ski, por për përvojën e plotë.
Turi dimëror përfshiu një loop nga Gacaferi, kalim drejt Malit të Zi në Hrid, ngjitje majash dhe net në Dobërdol, një nga zonat më të egra dhe më autentike të rajonit.
Një nga momentet më mbresëlënëse për Chester ishte qëndrimi në Dobërdol në mes të dimrit. Ai e përshkroi si një fshat të largët dhe të egër, por me jetë të ngrohtë brenda bujtinave. Për të, ishte ndjesia e të qenit vërtet në male. Edhe kur bora nuk ishte perfekte në një shpat, në anën tjetër të luginës gjetën njërën nga borët më të mira që kishte skijuar ndonjëherë.
Një pikë interesante për publikun lokal ishte fakti se ai beson që zona është e përshtatshme edhe për skiatorë me përvojë që duan të udhëtojnë pa guidë.
Sipas tij, terreni nuk është shumë kompleks, ka rrugë të sigurta nga një bujtinë në tjetrën dhe zona nuk është me akullnaja, çka e bën më të lehtë dhe më të sigurt lëvizjen.
– YouTube www.youtube.com
Sa i përket borës, ai tha se në Ballkan ajo transformohet më shpejt për shkak të pozicionit më jugor dhe këndit më të lartë të diellit. Shpatet me ekspozim jugor kalojnë shpejt në borë pranverore që lexohet lehtë.
Ai e përshkroi rajonin si një nga vendet më të ndershme ku ka skijuar, sepse bora është e parashikueshme dhe e kuptueshme për një guidë me përvojë.
Një temë tjetër ishte zhvillimi i cat-ski në rajon. Chester beson në balancë. Sipas tij, jo çdo luginë është ideale për cat-ski dhe disa zona janë perfekte për eksplorim me lëkurë dhe lëvizje të lirë.
Ai theksoi se çdo formë e turizmit ka ndikim mjedisor dhe se duhet një ekuilibër i arsyeshëm mes zhvillimit dhe ruajtjes së autenticitetit.
Në një kohë kur ndryshimet klimatike po e bëjnë borën më të paparashikueshme, Chester tha se guidat ndërkombëtare po kërkojnë gjithnjë e më shumë paketa të plota aventure dhe jo vetëm borë perfekte.
Sipas tij, Bjeshkët e Nemuna ofrojnë kulturë autentike, bujtina familjare, kuzhinë tradicionale dhe ndjesinë e zbulimit të një vendi të ri. Edhe nëse bora nuk është perfekte, aventura mbetet.
Turi me ski është bërë në shtegun Peaks of the Balkans, një nga shtigjet më të njohura në Ballkan dhe me një emër të mirë në Evropë. Për të mësuar për shtegun mund të vizitoni faqen peaksofthebalkans.info dhe në gjermanisht diepeaksofthebalkans.de .
Në fund të podcast-it, Chester tha se edhe pas dy vitesh e mban mend çdo ditë të atij udhëtimi, gjë që sipas tij tregon se ishte një aventurë vërtet e veçantë. /Telegrafi/