Gjithnjë e më shumë gra po largohen nga modeli klasik i karrierës dhe po krijojnë rrugën e tyre. Balanca, fleksibiliteti dhe paqja e brendshme po bëhen standardi i ri i suksesit
Sa herë ke dëgjuar shprehjen e njohur: mund t’i kesh të gjitha? Një karrierë mbresëlënëse, një shtëpi të rregullt në çdo detaj, përkushtim maksimal ndaj familjes, e ndërkohë të dukesh shkëlqyeshëm, të mbash marrëdhënie të mira dhe të kujdesesh për veten. Ky është narrativi që u është servirur grave për vite me radhë, sidomos që nga momenti kur u bënë pjesë e tregut të punës.
Por, sapo hyn në këtë treg, duket sikur pritet të dominosh. Suksesi matet me shkallët e korporatës, me kostumin, titullin e zhurmshëm dhe zyrën me pamje. Megjithatë, kjo nuk është e vetmja rrugë.
Gjithnjë e më shumë gra po e rishikojnë këtë model. Disa e kanë arritur suksesin sipas standardeve klasike dhe kanë zgjedhur të dalin prej tij. Të tjera po e ridizenjojnë ambicien e tyre, duke krijuar një përditshmëri që i përshtatet më shumë ritmit dhe nevojave personale, transmeton Telegrafi.
Si duket sot ambicia?
Balancë – mes punës dhe jetës në tërësi
Shprehja “balancë mes punës dhe jetës” shpesh është e kufizuar, sepse nënkupton vetëm dy anë. Në realitet, jeta ka shumë dimensione: shëndeti fizik dhe mendor, familja, miqtë, koha për veten, udhëtimet dhe interesat personale. Kur puna merr përparësi absolute, lodhja dhe djegia emocionale bëhen të pashmangshme.
Zgjedhje – karrierë në formën që na përshtatet
Pas pandemisë, mënyra e punës ka ndryshuar rrënjësisht. Njerëzit jo vetëm që zgjedhin ku punojnë, por edhe kur dhe si. Kërkesa për fleksibilitet është bërë më e fortë, dhe shumë kompani janë përshtatur për të mbijetuar. Ndërkohë, një numër i madh grash po orientohen drejt sipërmarrjes, punës së pavarur ose krijimit të bizneseve të tyre.
Qetësia – ambicia e re
Në një botë të mbushur me pasiguri, kriza dhe ndryshime të vazhdueshme, nevoja për qetësi është bërë më e fortë se kurrë. Për shumë gra, suksesi nuk lidhet më me tituj apo pasuri materiale, por me një jetë më të thjeshtë, më të balancuar dhe më të përmbushur.
Ngjitja në hierarkinë korporative mbetet një zgjedhje e vlefshme, por nuk është më e vetmja. Nga krijimi i bizneseve të vogla, te edukimi dhe profesionet e reja që po fitojnë rëndësi, mundësitë janë më të shumta se kurrë.
Në fund, suksesi nuk është më një model i vetëm. Ai është zgjedhje dhe gjithnjë e më shumë gra po zgjedhin atë që u jep kuptim, qetësi dhe kontroll mbi jetën e tyre. /Telegrafi/