Njëra nga bebet e familjes shqiptare Morina, e cila ishte lënduar rëndë në aksidentin e ndodhur më 7 janar në Gjermani, ka ndërruar jetë.
Bëhet fjalë për beben Teo Mendim Morina, lajmin për vdekjen e së cilës e ka konfirmuar edhe vetë familja Morina nga Ratkoci i Rahovecit.
Aksidenti ka ndodhur më 7 janar në qytetin Waldshut-Tiengen të Gjermanisë, vetëm disa minuta para se familja pesëanëtarëshe të mbërrinte në shtëpinë e saj. Familja Morina po kthehej në Gjermani pas pushimeve të kaluara në vendlindje.
Si pasojë e aksidentit, janë lënduar të pesë anëtarët e familjes: prindërit dhe tre fëmijët, një fëmijë trevjeçar dhe binjakët rreth gjashtë muajsh. Beba Teo, për fat të keq, nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të rënda të marra.
Sipas informacioneve nga spitali, prindërit dhe dy fëmijët e tjerë ndodhen në gjendje stabile dhe jashtë rrezikut për jetën.
Megjithatë, prindërit po përballen me gjendje të rënduar psikologjike, e cila konsiderohet e kuptueshme pas humbjes së rëndë familjare.